Termat dhe Kushtet e Rishitësit 2026
KONTRATË – TERMA DHE KUSHTE PËR RISHITËSIT
Midis ____________________________, si subjekti i autorizuar nga marka Enzo Attini për përzgjedhjen e kandidatëve rishitës të produkteve të markës (për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni),
dhe
Rishitësit (dyqan fizik, shitës vetëm B2C), bien dakord Termat dhe Kushtet e mëposhtme.
PRANIM AUTOMATIK I TERMAVE
Me kryerjen e furnizimeve dhe me shitjen e produkteve të markës Enzo Attini, Termat dhe Kushtet e kësaj marrëveshjeje konsiderohen të pranuara automatikisht nga rishitësi. Termat mund të përditësohen në çdo moment nga subjekti i autorizuar ose marka dhe konsiderohen si në fuqi menjëherë. Është detyrë e rishitësit të aksesojë rregullisht linkun e termave dhe të informohet vetë mbi çdo ndryshim. Vazhdimi i shitjeve konsiderohet pranim automatik i të gjitha përditësimeve.
1. PALËT
Këto Terma dhe Kushte zbatohen midis subjekti i autorizuar dhe rishitësit. Marka Enzo Attini nuk është palë kontraktore; roli i saj kufizohet në autorizimin e subjektit të autorizuar për përzgjedhjen e rishitësve dhe mbikëqyrjen e standardeve të markës.
2. QËLLIMI
Ky dokument përcakton rregullat e bashkëpunimit që duhet të ndjekë rishitësi, standardet e prezantimit, cilësinë e shërbimit, përdorimin e markës, raportimet, ndalimet dhe rastet e pezullimit të llogarisë. Këto detyrime mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të bashkëpunimit.
3. KOMUNIKIMI ZYRTAR
Të gjitha miratimet, vendimet dhe njoftimet formale bëhen vetëm në adresën: rishites@enzoattini.al dhe në adresën e emailit të rishitësit. I gjithë komunikimi, përfshirë këtë përmbajtjen e kësaj kontrate, mbetet konfidencial. Këto detyrime vazhdojnë të jenë në fuqi pa kufizime kohore edhe pas përfundimit të bashkëpunimit.
4. FURNIZIMI
Furnizimi i rishitësit me produkte kryhet nga një subjekt i palës së tretë, i cili vepron vetëm si furnizues logjistik dhe nuk është palë kontraktore.
4.1 MATERIALET PROMOCIONALE FIZIKE
Materialet promocionale fizike të ofruara nga subjekti i autorizuar mbeten pronë e tij dhe përdoren vetëm për ekspozimin e markës Enzo Attini.
Në rast përfundimi, pezullimi ose ngrirjeje të kontratës, rishitësi detyrohet t’i dorëzojë këto materiale sipas udhëzimeve të subjektit të autorizuar.
5. PËRDORIMI I LOGOS, MATERIALEVE & KONTENTIT
Rishitësi mund të përdorë materialet e markës vetëm pasi të marrë miratim me email. Rishitësit i ofrohet akses në Google Drive me materiale të gatshme për postim; çdo material jashtë Drive-it kërkon miratim të ri. Nëse bashkëpunimi ndërpritet, të gjitha materialet fizike dhe digjitale duhet të hiqen menjëherë, edhe nëse ka stok të pashitur. Këto detyrime mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të bashkëpunimit. Në rast se ky parashikim nuk zbatohet, aplikohet një penalitet ndaj Rishitësit.
5.1 PRANIA NË RRJETET SOCIALE TË RISHITËSIT
Rishitësi angazhohet të mbajë një prani aktive në rrjetet sociale dhe ka detyrimin të publikojë të paktën një postim në ditë në feed-in e Instagramit dhe/ose në rrjete të tjera sociale active dhe tre story, me përmbajtje që lidhet me produktet ose brandin Enzo Attini.
Çdo përmbajtje duhet të jetë në përputhje me imazhin e brandit dhe të bazohet në materiale të miratuara ose të vëna në dispozicion nga subjekti i autorizuar. Publikimi i përmbajtjes që dëmton imazhin e brandit ose devijon nga standardet e përcaktuara përbën shkelje të kontratës dhe mund të sjellë masa sipas parashikimeve të saj.
6. SHITJET & NDALIMI I DISTRIBUCIONIT
Rishitësi shet vetëm B2C. Ndalohen shitjet B2B ose furnizimi i dyqaneve të tjera. Këto detyrime mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të bashkëpunimit.
7. XHIROJA VJETORE
Për ruajtjen e vlefshmërisë së kësaj Marrëveshjeje, Reselleri angazhohet të realizojë një vëllim minimal vjetor furnizimi prej 40 000 (dyzet mijë) euro nga Subjekti i Autorizuar.
Furnizimi fillestar duhet të jetë në vlerën minimale 10 000 (dhjetë mijë) euro.
Pas furnizimit fillestar, Reselleri është i detyruar të kryejë furnizime çdo muaj, me një vlerë mesatare mujore prej 3 300 euro, me qëllim arritjen e totalit vjetor të përcaktuar.
Mosrealizimi i furnizimit mujor konsiderohet “red flag” kontraktual dhe përbën rrezik për pezullimin e llogarisë gjatë vitit dhe/ose ndërprerjen ose mosrinovimin e kontratës në fund të vitit, në rast se nuk arrihet xhiroja minimale vjetore prej 40 000 euro.
Mosarritja e xhiros minimale vjetore përbën shkak të mjaftueshëm për pezullimin e menjëhershëm të llogarisë dhe ndërprerjen e bashkëpunimit, pa detyrimin e Subjektit të Autorizuar për njoftim paraprak.
8. EKSPOZIMI FIZIK
Rishitësi detyrohet të mbajë ekspozim premium, me rafte të dedikuara vetëm për markën Enzo Attini me një siperfaqe minimale 10 metra katror në dyqan. Përdorimi i paketimit origjinal, pastërtia dhe ndriçimi janë detyrim i vazhdueshëm. Këto detyrime mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të bashkëpunimit.
9. POLITIKAT E ÇMIMEVE DHE PROMOCIONEVE
9.1 Çmimet e shitjes me shumicë janë dinamike dhe mund të ndryshojnë në çdo kohë, pa detyrim njoftimi paraprak.
9.2 Të gjitha shitjet janë përfundimtare; malli nuk kthehet dhe nuk rimbursohet.
9.3 Ndryshimet pasuese të çmimeve nuk krijojnë asnjë të drejtë për rimbursim, kompensim apo credit note nga marka ose pala e tretë shpërndarëse.
9.4 Promocionet B2C në enzoattini.al janë ekskluzive për konsumatorin final dhe nuk aplikohen në furnizimet me shumicë.
9.5 Rishitësi shet produktet me çmimet zyrtare të afishuara në enzoattini.al, përveç rasteve kur ka aprovimin paraprak, me shkrim, nga subjekti i autorizuar i markës.
9.6 Rishitësi nuk mund të publikojë cmimet e shitjeve të produkteve në rrjetet sociale.
9.7 Çdo ndryshim çmimi, ofertë, paketë, promocion apo përfitim shtesë nga Rishitësi kërkon aprovimin paraprak me email nga subjekti i autorizuar.
10. INVENTARI & RAPORTIMI
Rishitësi duhet të dërgojë çdo fund muaji fotot/videot e ekspozimit dhe një Excel me stokun aktual. Kërkesat shtesë për inventar duhen plotësuar brenda 48 orëve. Mosdorëzimi sjell ngrirje ose pezullim të llogarisë.
11. FLETA E GARANCISË
Gjatë çdo shitjeje, plotësohet fleta e garancisë me datën e blerjes, emrin e produktit dhe numrin serial nëse produkti e ka dhe emrin e dyqanit (rishitësit). Në të ardhmen kjo procedurë mund të ketë update. Mosplotësimi i fletës së garancisë përbën shkelje të rëndë dhe nëse rishitësi nuk plotëson fletën e garancisë në momentin e shitjes së produktit ai do të jetë vetë përgjegjës për mbulimin e garancisë. Këto detyrime mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të bashkëpunimit.
11.1 PROCEDURAT E GARANCISË & SERVISIT
Rishitësi ndjek procedurat zyrtare të garancisë së markës, por nuk ka rol përgjegjësie; ai vetëm informon klientin për hapat që duhet të ndjekë.
Garancia administrohet online vetëm nga Enzo Attini në Tiranë.
Dërgimi në servis:
Klienti dërgon me postë produktin të paketuar, me fletën e garancisë, në:
Rr. Mine Peza, tek____________________, Tiranë – Tel: +355 67 716 8907 ose +355 67 716 8906.
Orari i shërbimit: Nga e Hëna në të Premte, ora 9:00–17:00.
Miratimi:
Klienti jep “OK” për hapjen e pajisjes dhe diagnostikimin direkt në WhatsApp.
Procesi:
Stafi i servisit të autorizuar diagnostikon dhe dokumenton pajisjen sipas kushteve të garancisë.
Garancia nuk mbulon:
Gërvishtje, goditje, thyerje, lagështi ose dëmtime nga përdorimi i gabuar. Nëse dëmtimi nuk mbulohet nga garancia, klienti njoftohet për kostot e riparimit dhe vendos vetë nëse dëshiron të vazhdojë. Pajisja pas riparimit i dërgohet me postë klientit.
Roli i rishitësit:
Informon klientin; nuk hap pajisjen, nuk diagnostikon apo riparon produktin dhe nuk jep opinion teknik mbi dëmtimin e produktit. Këto detyrime mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të bashkëpunimit.
12. INTEGRITETI I FURNIZIMIT & NDALESA E RIPRODHIMIT
Rishitësi furnizohet vetëm nga burimet zyrtare të brandit dhe duhet të ketë shumicën e produkteve stok në dyqan në disa kopje.
Çdo riprodhim, imitacion ose prodhim i ngjashëm i produkteve apo logos Enzo Attini sjell penalitet financiar automatik dhe ndjekje ligjore të menjëhershme.
Këto detyrime mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të bashkëpunimit.
13. MBROJTJA E REPUTACIONIT
Ndalohen deklaratat negative nga rishitësi dhe stafi i tij, komentet apo opinionet denigruese, krahasimet me brande të tjera dhe çdo veprim që dëmton imazhin e brandit. Shkelja sjell penalitet dhe ndjekje ligjore për dëmtim të reputacionit të brandit. Këto detyrime mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të bashkëpunimit.
14. INSPEKTIME
Marka mund të kryejë vizita anonime për të verifikuar cilësinë e prezantimit dhe shërbimit. Çdo devijim nga standardet e markës sjell ngrirje të llogarisë ose pezullim
15. NDALESA E DEVIJIMIT TË KLIENTËVE
Rishitësi nuk mund të devijojë klientët e interesuar për Enzo Attini drejt produkteve të tjera, artikujve pa markë apo alternativave të tjera të rekomanduara në dyqan.
Shkelja sjell mbyllje të menjëhershme të llogarisë.
16. Pezullimi ose Ngrirja e Llogarisë & Ndërprerja e Furnizimit
Llogaria e rishitësit pezullohet ose ngrihet pa paralajmërim në rast të:
– përdorimit të paautorizuar të materialeve;
– krijimit të kontentit pa miratim dhe përdorim i logos pa aprovim;
– shitjeve B2B;
– devijimit të klientëve;
– mosrespektimit të çmimeve;
– furnizimit jozyrtar apo riprodhimit;
– rezultateve negative të inspektimit;
– dëmtimit të reputacionit të brandit;
– shkeljeve të politikave të brandit;
– nuk poston ne rrjetet sociale 1 feed dhe 3 story ne dite minimalisht
– Xhiro vjetore e pamjaftueshme: nëse xhiroja vjetore bie nën 40 000 euro, llogaria pezullohet dhe bashkëpunimi ndërpritet. Për të mbajtur kontratën aktive, Reselleri duhet të realizojë furnizime mujore mesatare prej rreth 3 300 euro.
*Pas pezullimit, rishitësi heq çdo material apo logo të markës online dhe në dyqanin fizik.
17. PËRDITËSIMI I TERMAVE
Vijimi i shitjeve të produkteve të Enzo Attini-t nga rishitësi konsiderohet pranim automatik i termave.
18. KOFIDENCIALITETI DHE NDA
Kjo kontratë dhe të gjitha informacionet e shkëmbyera midis palëve janë konfidenciale dhe nuk mund të shpërndahen, publikohen ose t’u dërgohen palëve të treta në asnjë formë. Këto detyrime mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të bashkëpunimit.
19. JURIDIKSIONI
Zbatohet ligji shqiptar. Juridiksioni: Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
20. AFATI & ZGJIDHJA
Kontrata përfundon pas 1 (një) viti nga nënshkrimi i saj dhe nëse palët nuk kanë shprehur ankesë me shkrim nëpërmjet emaileve të tyre ajo rinovohet automatikisht për një vit tjetër.
Pavarësisht parashikimeve të kësaj Kontrate, subjekti i autorizuar nga marka mund ta zgjidhë këtë Kontratë në çdo moment me një njoftim 48 (dyzetë e tetë) orë përpara, me shkrim ose email dërguar në adresën e njoftuar nga Rishitësi, pa asnjë penalitet. Çdo detyrim i Rishitësit deri në datën e zgjidhjes duhet të përmbushet rregullisht.
RISHITËSI
Emri, Mbiemri dhe Firma:
Emri i Biznesit:
Nipti:
Emaili:
Numri I telefonit:
Data: